Publikohet Raporti i Monitorimit mbi Nevojën e Aftësive Dixhitale të Komuniteteve Rurale dhe të Margjinalizuara në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

Në kuadër të projektit “Përfshirja dixhitale për OSHC – të dhe Angazhimin e Qytetarëve në Bashkëpunimin Rajonal” (DIGI-CORE), Instituti Edutask, në bashkëpunim me Shoqatën “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë” Fushë-Arrëz (QSNNN) dhe Center for Social Innovations BLINK 42-21, publikon raportin e monitorimit, me titull, “Eksplorimi i Ndarjes Dixhitale në Komunitetet e Margjinalizuara në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”. Studimi i monitorimit hedh dritë mbi pengesat që hasin grupet më të prekura, si banorët e zonave rurale, të moshuarit, gratë dhe minoritetet, në përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve online në këto tre shtete.

Si është realizuar studimi i monitorimit?

Studimi i monitorimit përdori një kombinim të pyetësorëve dhe bisedave me grupe fokusi. Në total, 100 persona nga të tri vendet—përfshirë banorë ruralë, persona me aftësi të kufizuara, të moshuar, gra dhe përfaqësues të minoriteteve—u pyetën për përvojat e tyre me teknologjinë. Anketa u realizua nëpërmjet tabletave në zonat me internet dhe me fletëpalosje fizike në zonat pa qasje. Rezultatet u analizuan me mjete numerike (R Studio) dhe u plotësuan me diskutime thellësuese për të kuptuar sfidat konkrete.

Çfarë zbulon studimi?

Hulumtimi konfirmon se hendeku dixhital është ende i thellë, veçanërisht për grupet e dobëta. Edhe pse Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë përqindje relativisht të lartë të përdorimit të internetit, shumë njerëz nuk arrijnë ta përfitojnë atë për shkak të çmimeve të larta ose lidhjeve jo-stabile. Në Shqipëri, situata është më e vështirë: kufizimet financiare dhe mungesa e infrastrukturës i lënë mijera njerëz pa qasje në teknologji.

Aftësitë Dixhitale: Një nga problemet më kritike është mungesa e njohurive për të përdorur teknologjinë. Të moshuarit dhe minoritetet etnike, veçanërisht në zonat rurale, mbështeten shumë tek familja apo ndihma e NGO-ve për të kryer edhe veprimet më të thjeshta online. Madje edhe te të rinjtë, përdorimi i teknologjisë shpesh kufizohet në rrjetet sociale dhe argëtim, ndërsa shërbimet e-qeverisë ose platformat për punë i frikësojnë shumë.

Shërbimet Online të Qeverisë: Ndonëse ekzistojnë shërbime si pagesa tatimore ose aplikime për dokumente në internet, shumë njerëz vazhdojnë të preferojnë radhët në zyra. Përveç mosbesimit ndaj sigurisë së platformave, përdoruesit ankohen për procese të ndërlikuara identifikimi. Personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me një pengesë shtesë: shumica e faqeve qeveritare nuk janë të përshtatshme për teknologji ndihmëse, siç janë lexuesit ekrani për të verbërit.

Roli i NGO-ve: Organizatat joqeveritare luajnë një rol kyç në ndihmën për grupet e margjinalizuara, por ato veprojnë me burime të pakta dhe shpesh nuk arrijnë të mbështesin të gjithë ata që kanë nevojë.

Çfarë zgjidhjes propozohen?

Raporti parashtron disa hapa konkretë për të ngushtuar hendekun:

  1. Infrastruktura: Investime në internet të shpejtë dhe të lirë, veçanërisht në fshatra dhe lagje të varfra.
  2. Qendra Dixhitale: Krijimi i pikave publike ku njerëzit të mund të trajnohen falas dhe të përdorin pajisje me qasje në internet.
  3. Edukim Dixhital: Futja e kurseve për aftësi teknologjike në shkolla dhe komunitete, duke përfshirë materiale në gjuhë të ndryshme për minoritetet.
  4. Shërbime Qeveritare më të Thjeshta: Redesign i platformave e-qeverisë që të jenë intuitive, me procese identifikimi të shkurtruara dhe të përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara.
  5. Partneritete: Bashkëpunim mes shtetit, bizneseve private dhe NGO-ve për të ofruar pajisje me çmime të ulëta dhe internet të subvencionuar.

Pse është i rëndësishëm ky raport?

Hendeku dixhital nuk është thjesht një çështje teknologjike, ai thellon pabarazitë ekzistuese. Pa qasje në shërbime online, mijëra njerëz nuk mund të kryejnë procedura bazë (si aplikime për punë ose shërbime shëndetësore), rrezikojnë të izolohen nga informacioni dhe të mbeten prapa në zhvillimin ekonomik.

Siç përmbledh raporti: “Dixhitalizimi duhet të jetë një mundësi për të gjithë, jo një privilegj për disa. Kjo kërkon vullnet politik, investime të mençura dhe një ndjenjë urgjence.”

 

Raportin mund ta shkarkoni duke KLIKUAR KËTU!

 

Granti zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” i zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në partneritet me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

About the Author

You may also like these